Gjakovë, 25 shkurt 2026 – Kryeprokurori Enis Gashi priti në takim prokuroren koordinatore për rastet e dhunës në familje nga Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit, Laura Pula, së bashku me koordinatorin nga Zyra për Mbrojtje dhe Ndihmë Viktimave, Burhan Maxhuni, si dhe përfaqësues të kësaj zyre.
Në takim mori pjesë edhe prokurorja koordinatore për trajtimin e rasteve të dhunës në familje, Uridia Caka.
Gjatë diskutimeve u trajtuan çështje që lidhen me menaxhimin e rasteve të dhunës në familje, shkëmbimin e praktikave më të mira, sfidat institucionale dhe hapat konkretë për rritjen e efikasitetit dhe reagimit të shpejtë. U theksua se këto raste trajtohen me prioritet të lartë, profesionalizëm dhe në përputhje me legjislacionin në fuqi.
Po ashtu, u nënvizua rëndësia e mbrojtjes dhe përkrahjes së viktimave, duke garantuar qasje të drejtë në drejtësi dhe koordinim të vazhdueshëm ndërinstitucional për sigurinë dhe mirëqenien e tyre.
Prokuroria Themelore në Gjakovë rikonfirmoi përkushtimin për reagim të shpejtë dhe trajtim profesional në çdo rast të dhunës në familje.




