Prokuroria Themelore në Ferizaj ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit ndaj dy zyrtarëve të KEDS-it, B.B. nga Prishtina dhe E.K. nga Obiliqi, nën dyshimin për marrje ryshfeti.
Sipas Prokurorisë, më 25 shkurt 2026, rreth orës 14:30, në rrugën “Dëshmorët e Kombit” në Ferizaj, të dyshuarit, në cilësinë e zyrtarëve përgjegjës në departamente të ndryshme të KEDS-it, dyshohet se i kanë kërkuar 400 euro një qytetari me inicialet A.H., në këmbim të përshpejtimit të vendosjes së njehsorit elektrik në lokalin e tij.
Sipas pretendimeve, atij i është thënë se në të kundërtën do të duhej të priste pesë deri në gjashtë muaj për instalimin e njehsorit.
Prokuroria bën të ditur se, pas aplikimit të masave të veçanta hetimore, të dyshuarit janë kapur në flagrancë dhe arrestuar nga Policia e Kosovës. Ata ngarkohen me veprën penale “Pranimi i ryshfetit në sektorin privat”, në bashkëkryerje, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Me vendim të prokurorit të shtetit, që nga 25 shkurti 2026, të pandehurit ndodhen nën masën e ndalimit 48-orësh.




