Ministri i Ministrisë për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare, Andin Hoti, ka njoftuar se gjatë këtij mandati do të procedohen gjashtë projektligje prioritare, si dhe tre ligje do t’i nënshtrohen vlerësimit retrospektiv (ex-post).
Projektligjet e reja përfshijnë: ligjin për personat me aftësi të kufizuar, skemën e ndihmës sociale, Inspektoratin Qendror të Punës, si dhe ndryshime dhe plotësime në ligjet për personat e zhdukur, ligjin e punës dhe ligjin për sigurinë dhe shëndetin në punë.
Ndërkaq, gjatë vitit 2026 do të bëhet vlerësimi i ligjit për skemat pensionale të financuara nga shteti, ligjit për veteranët e UÇK-së dhe ligjit për statusin dhe të drejtat e kategorive të dala nga lufta.
Sipas ministrit, qëllimi i këtij procesi është që legjislacioni në fuqi të jetë funksional, i drejtë dhe në përputhje me nevojat reale të qytetarëve, duke garantuar transparencë dhe përfshirje të gjerë të akterëve relevantë.




