Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka theksuar se Kosova vazhdon të kryesojë në Ballkanin Perëndimor për nivelin e sigurisë.
Duke u bazuar në raportin “SecuriMeter 2025” të Këshillit për Bashkëpunim Rajonal (RCC), ministri ka treguar se qytetarët e Kosovës perceptojnë nivelin më të lartë të sigurisë personale në rajon. Sipas raportit, 64% e qytetarëve ndihen “shumë të sigurt” ose “mjaft të sigurt” në jetën e përditshme, përqindja më e lartë ndër gjashtë vendet e rajonit.
Sveçla ka vlerësuar se ky besim ndaj institucioneve të sigurisë reflekton mbështetjen e vazhdueshme të qeverisë ndaj policisë dhe ushtrisë, duke forcuar kapacitetet e tyre dhe rritur efikasitetin në shërbim të qytetarëve.
“Qëndrueshmëria institucionale ka kontribuar në rritjen e sigurisë, luftimin e fenomeneve negative dhe avancimin e progresit demokratik.
Si rezultat, 80.5% e qytetarëve kanë deklaruar se nuk planifikojnë të emigrojnë, një përmirësim i dukshëm krahasuar me vitet e kaluara”, tha ministri.
Ai ka përgëzuar zyrtarët e të gjitha institucioneve për përkushtimin dhe profesionalizmin e tyre në shërbim të qytetarëve dhe të shtetit.




