Kryeprokurorja e Specializuar, Kimberly West, deklaroi se Hashim Thaçi akuzohet për ndërhyrje të vazhdueshme dhe sistematike te dëshmitarët, si dhe për shkelje të urdhrave gjyqësorë që synonin mbrojtjen e informacionit konfidencial.
Sipas saj, edhe të akuzuarit e tjerë kanë marrë pjesë në mënyrë të paligjshme në këto veprime.
Ajo theksoi se vendimet gjyqësore kishin për qëllim të garantonin që dëshmitarët dhe viktimat të dëshmonin pa frikë apo ndikim, me siguri për ruajtjen e identitetit.
Pretendimet, sipas prokurorisë, mbështeten në audioincizime të siguruara me autorizim të gjykatës dhe që lidhen me takime jo të privilegjuara.




