Politologu Albinot Maloku vlerëson se përgjegjësia kryesore për gjetjen e një zgjidhjeje për presidentin e ri i takon subjektit më të madh parlamentar, duke paralajmëruar se pa kompromis apo koalicion, vendi mund të shkojë në zgjedhje të reja.
Sipas tij, pavarësisht takimeve që ka zhvilluar kryeministri Albin Kurti me liderë opozitarë, ende nuk ka një platformë të qartë për emrat e mundshëm. Ai thekson se aktualisht nuk ka figura që mund të konsiderohen kompromis dhe se zgjidhja më e qëndrueshme do të ishte një president konsensual ose një marrëveshje më e gjerë politike me riformatim të Qeverisë.
Sa i përket presidentes aktuale, Vjosa Osmani, Maloku thotë se nuk sheh vullnet nga Lëvizja Vetëvendosje për ta mbështetur për një mandat të dytë. Ndërkaq, për Arsim Bajrami ai shprehet se nuk vëren një agjendë të qartë nga Partia Demokratike e Kosovës për ta shtyrë kandidaturën e tij.
Mandati i Osmanit përfundon më 4 prill, ndërsa afati kushtetues për zgjedhjen e presidentit të ri është 4 marsi. Nëse Kuvendi nuk arrin ta zgjedhë brenda këtij afati, vendi obligohet të shkojë në zgjedhje të reja parlamentare brenda 45 ditësh.




