Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë sot zhvillohen deklaratat hyrëse në procesin gjyqësor ndaj Hashim Thaçi, Bashkim Smakaj, Isni Kilaj, Fadil Fazliu dhe Hajredin Kuçi, të akuzuar për pengim të drejtësisë. Seanca pritet të nisë në orën 09:30 dhe të përfundojë rreth orës 16:00.
Sipas aktakuzës, të pandehurit dyshohen se kanë shpërndarë informacione konfidenciale për dëshmitarë dhe kanë tentuar të ndikojnë në dëshmitë e tyre. Të gjithë janë deklaruar të pafajshëm.
Pas deklaratave hyrëse, Prokuroria pritet të vazhdojë me paraqitjen e provave, ndërsa seancat janë planifikuar të mbahen nga 2 deri më 6 mars.




