Prokuroria Speciale e Kosovës ka konfirmuar se do të paraqesë ankesë në Gjykatën e Apelit kundër vendimit të Gjykatës Themelore, e cila refuzoi kërkesën për paraburgim ndaj tre personave të dyshuar për transportin e rreth 1 milion eurove.
Zëdhënësja e Prokurorisë, Arbnora Luta, bëri të ditur për media: “Do ta shfrytëzojmë të drejtën e ankimit në shkallën e dytë dhe do të ankohemi ndaj vendimit.”
Tre të dyshuarit u arrestuan më 24 shkurt në Merdarë teksa hynin në Kosovë me një furgon “Sprinter” me targa shqiptare, duke deklaruar se nuk kishin asgjë për të raportuar. Gjatë kontrollit, policia gjeti 18 pako me rreth 1 milion euro të fshehura në një hapësirë të modifikuar të automjetit.
Prokuroria Speciale kishte kërkuar paraburgim për veprën penale të “shpëlarjes së parave”, por gjykata vendosi lirimin e tyre, vendim që tani po sfidohet në Apel.




