Ish-kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, vlerëson se situata aktuale rreth zgjedhjes së presidentit të ri lë më shumë hapësirë për zgjedhje të parakohshme sesa për një marrëveshje politike.
Sipas tij, diskutimet mes partive kanë nisur me vonesë, ndonëse dihej prej kohësh se vendi do të përballej me këtë proces. Ymeri thekson se mënyra si është trajtuar çështja deri më tani nuk lë shumë optimizëm për arritjen e konsensusit, përveç nëse ndodh një zhvillim i papritur në momentet e fundit.
Ai sugjeron se kryeministri Albin Kurti mund të ketë dy opsione: ose të shkojë drejt zgjedhjeve, ose të propozojë një emër në fund të afatit për të testuar gatishmërinë e opozitës. Ymeri shton se opozita duhet të jetë e kujdesshme dhe të mos pranojë marrëveshje që, sipas tij, do të nënkuptonin nënshtrim politik.
Sa i përket presidentes aktuale, Vjosa Osmani, ai thotë se ambicia për një mandat të dytë nuk duket se po gjen mbështetje të mjaftueshme politike.
Ymeri thekson se zgjedhjet e reja do të ishin të dëmshme për vendin, duke pasur parasysh ciklin e shpeshtë zgjedhor në vitet e fundit, dhe se zgjidhja duhet të vijë përmes dialogut dhe kompromisit mes forcave politike./EO/




