Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, ka theksuar se Kosova ka nevojë për stabilitet politik dhe fokus te prioritetet që ndikojnë drejtpërdrejt tek qytetarët, teksa afron data për zgjedhjen e presidentit.
Haxhiu ka sqaruar rregullat për kandidaturat: çdo kandidat duhet të sigurojë të paktën 30 nënshkrime nga deputetët, ndërsa një deputet mund të nënshkruajë vetëm për një kandidat.
Në dy raundet e para kërkohen 80 vota, ndërsa në të tretin mjaftojnë 61 vota.
“Fryma e këtij procesi duhet të jetë konsensuale. Nuk mund të realizohet nga një palë e vetme,” tha Haxhiu, duke inkurajuar diskutime serioze dhe kërkesa të arritshme nga partitë politike, në vend të përplasjeve dhe bllokadave.
Ajo gjithashtu u shpreh për heqjen e masave nga Bashkimi Evropian, duke thënë se vendimi pritet të merret së shpejti dhe e përshëndeti si një hap pozitiv për vendin.
“Është e rëndësishme që partitë të mendojnë për qytetarët dhe interesat e Republikës, duke shmangur përsëritjen e situatave problematike të vitit të kaluar,” përfundoi Haxhiu.




