Kryetari i Aleanca Kosovare për Biznes (AKB), Agim Shahini, ka paralajmëruar se vendi rrezikon të përballet me një krizë të thellë politike dhe ekonomike nëse shkohet sërish në zgjedhje të reja.
Sipas tij, Kosova po hyn në një nga momentet më të ndjeshme politike që nga paslufta, ndërsa bllokimi institucional aktual mund ta çojë vendin drejt një periudhe të gjatë pa institucione funksionale, me pasoja të rënda për ekonominë.
Aleanca Kosovare e Bizneseve thekson se bizneset nuk mund të përballojnë një tjetër krizë politike, pasi çdo vonesë në krijimin e institucioneve stabile po shkakton humbje investimesh, rritje të pasigurisë ekonomike dhe bllokim të zhvillimit.
Shahini ka bërë thirrje për përgjegjësi dhe vendimmarrje të menjëhershme, duke theksuar se Kosova ka nevojë për stabilitet dhe lidership, e jo për një krizë të re politike që do të sillte pasoja serioze për vendin.




