Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka konfirmuar se ka pranuar amendamentet kushtetuese të dërguara nga presidentja Vjosa Osmani për zgjedhjen e drejtpërdrejtë të presidentit nga qytetarët.
Përmes një njoftimi në rrjetin social Facebook, Haxhiu bëri të ditur se amendamentet synojnë të ndryshojnë mënyrën e zgjedhjes së presidentit, duke e kaluar këtë proces nga Kuvendi te vota e drejtpërdrejtë e qytetarëve.
Ajo theksoi se një ndryshim i tillë do të ndihmonte në shmangien e ngërçeve institucionale që, sipas saj, kanë penguar funksionimin dhe stabilitetin e institucioneve në të kaluarën.
Haxhiu shtoi se i bashkohet thirrjes së presidentes që deputetët t’i mbështesin këto amendamente kushtetuese kur ato të dalin në votim në Kuvend.




