Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë mbledhjes solemne të Qeverisë së Kosovës, ka deklaruar se Epopeja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës përfaqëson një kthesë vendimtare në vetëdijen kombëtare dhe në bashkimin e popullit drejt lirisë dhe pavarësisë.
Ai theksoi se historia e shteteve ndërtohet mbi ngjarje që hapin rrugë për të ardhmen, duke përmendur marsin e vitit 1998 si një moment kyç për Kosovën.
Sipas Kurtit, ngjarjet e 5, 6 dhe 7 marsit 1998 në Prekaz shënuan një përballje të pabarabartë, por me domethënie të jashtëzakonshme historike, ku familja Jashari i bëri rezistencë forcave të armatosura serbe për tri ditë dhe tri net rresht.
Ai tha se familja Jashari, e rrethuar nga forca të shumta të armatosura dhe mjete ushtarake, zgjodhi të mos dorëzohej dhe të luftonte deri në fund për lirinë e vendit.
Kurti shtoi se burra, gra dhe fëmijë të familjes vendosën të qëndronin së bashku pranë komandantit Adem Jashari, duke besuar se liria kërkon sakrificë dhe vendosmëri.
Sipas tij, gjatë asaj kohe të rinjtë morën pozicionet e tyre në mbrojtje, ndërsa gratë dhe vajzat furnizonin luftëtarët me municion. Ai e cilësoi qëndresën e familjes Jashari si një simbol të unitetit dhe vendosmërisë shqiptare.
Kryeministri theksoi se pas këtyre ngjarjeve lufta në Kosovë mori një dimension tjetër, duke rritur mobilizimin e popullit, duke forcuar legjitimitetin e rezistencës dhe duke tërhequr vëmendje të madhe ndërkombëtare për çështjen e Kosovës.




