Vjosa Osmani, ka dërguar në Kuvendin e Kosovës propozimin e vitit 2011 për ndryshime kushtetuese që parashikojnë zgjedhjen e presidentit drejtpërdrejt nga qytetarët, pak orë para përfundimit të afatit kushtetues.
Sipas letrës përcjellëse, Osmani argumenton se vota e drejtpërdrejtë rrit legjitimitetin demokratik të institucionit dhe pjesëmarrjen qytetare, si dhe konsolidon përgjegjësinë politike të presidentit. Propozimi parashikon katër ndryshime kryesore: Kuvendi nuk do të zgjedhë më presidentin, shpërndarja e Kuvendit nuk lidhet më me moszgjedhjen e presidentit, mënyra e zgjedhjes së presidentit ndryshohet duke kaluar te vota e drejtpërdrejtë e qytetarëve, dhe vendosen dispozita kalimtare për hyrjen në fuqi të ndryshimeve.
Osmani bën thirrje që amendamentet të procedohen për votim në Kuvend, duke vlerësuar se ato do të kontribuojnë në forcimin e demokracisë dhe të legjitimitetit të institucionit presidencial.




