Zyrtarët e Doganës së Kosovës kanë parandaluar futjen e mallrave të padeklaruara në pikën kufitare në Vërmicë, pasi ndaluan për kontroll një automjet që po hynte në vend.
Edhe pse drejtuesi i automjetit deklaroi se nuk kishte mallra për të deklaruar, pas analizës së riskut automjeti u dërgua për kontroll të detajuar në vijën e dytë. Gjatë kontrollit, zyrtarët doganorë zbuluan 610 produkte kozmetike dhe të kujdesit personal, përfshirë produkte për lëkurë dhe flokë, maska për fytyrë dhe parfume të markave të njohura.
Autoritetet konstatuan kundërvajtje doganore për mosdeklarim të mallrave dhe ndërmorën veprimet procedurale sipas legjislacionit në fuqi. Dogana e Kosovës u bën thirrje udhëtarëve që çdo mall që tejkalon kufijtë e lejuar ta deklarojnë pranë autoriteteve doganore.




