Ish-emisari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Richard Grenell, ka reaguar pas dekretit të Presidentes Vjosa Osmani për shpërndarjen e Kuvendit dhe shpalljen e zgjedhjeve të reja në Kosovë.
Në një postim në rrjetin social X, Grenell e cilësoi këtë zhvillim si lajm të mirë, duke shtuar se “Zoti po na përgatit të gjithëve për kthimin e Hashim Thaçit”. Ai shkroi gjithashtu: “Thaçi për kryeministër”.
Kriza politike u thellua pasi të enjten në mbrëmje dështoi zgjedhja e presidentit të ri të vendit. Në seancën e zhvilluar në orët e vona nuk pati kuorum për të vazhduar me procesin e votimit.
Pas kësaj, të premten në mëngjes, Presidentja Vjosa Osmani njoftoi se ka dekretuar shpërndarjen e Kuvendit dhe dërgimin e vendit në zgjedhje të reja.
Megjithatë, vendimi i saj është kundërshtuar nga Lëvizja Vetëvendosje, e cila ka deklaruar se ekziston një afat kushtetues prej 60 ditësh për zgjedhjen e presidentit dhe ka paralajmëruar se do ta dërgojë dekretin në Gjykatën Kushtetuese për interpretim.
Ndërkohë, procesi gjyqësor ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi dhe ish-krerëve të tjerë të UÇK-së në Gjykatën Speciale në Hagë ka hyrë në fazën përfundimtare. Të gjithë dëshmitarët e prokurorisë dhe të mbrojtjes janë dëgjuar, ndërsa palët dhe të akuzuarit kanë dhënë edhe fjalët përmbyllëse.
Tani çështja i takon trupit gjykues, i cili ka afat deri në tre muaj për të marrë vendimin. Sipas Gjykatës në Hagë, ky afat mund të zgjatet edhe për dy muaj të tjerë, ose më gjatë në raste të jashtëzakonshme.




