Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) i ka bërë thirrje Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK) që të shpallë sa më parë konkursin për zgjedhjen e Kryeprokurorit të ri të Shtetit, duke vlerësuar se një proces i rregullt dhe i bazuar në meritë do të ishte një sinjal pozitiv për reformën brenda sistemit prokurorial.
Sipas IKD-së, Kosova është pa Kryeprokuror të Shtetit që nga prilli i vitit 2022, ndërsa institucioni i Prokurorit të Shtetit vazhdon të funksionojë me ushtrues detyre.
IKD rikujton se më 17 tetor 2023, Presidentja Vjosa Osmani nuk e kishte dekretuar kandidatin e propozuar nga KPK për këtë pozitë, duke e kthyer procesin përsëri në këtë institucion.
Megjithatë, sipas këtij instituti, që nga ajo kohë KPK nuk ka ndërmarrë hapa për të nisur një proces të ri transparent dhe të bazuar në meritë.
Për këtë arsye, IKD kërkon nga KPK që pa vonesë të shpallë konkursin dhe të zhvillojë një proces të rregullt për përzgjedhjen e Kryeprokurorit të ri të Shtetit, me qëllim shmangien e zbrazëtisë institucionale dhe ruajtjen e besimit të publikut në sistemin prokurorial.




