Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka uruar mësuesit me rastin e 7 Marsit – Ditës së Mësuesit, duke e cilësuar këtë datë si festën e shpirtit të kombit shqiptar që mbijetoi falë gjuhës shqipe.
Ajo theksoi se shkolla shqipe ka qenë një akt i fortë qëndrese në kohë të vështira, kur mësimi zhvillohej në shtëpi dhe në kushte sakrifice.
Sipas saj, mësuesit shqiptarë nuk u dorëzuan përballë përndjekjeve dhe vazhduan të ruanin gjuhën, librin dhe ëndrrën për liri.
Osmani shtoi se nga bankat e para të shkollës deri në universitete vazhdon i njëjti mision: edukimi i brezave që e duan gjuhën, atdheun dhe lirinë.
Ajo shprehu mirënjohje për të gjithë mësuesit për kontributin e tyre në arsim dhe në forcimin e shtetit.




