Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës e Kosovës (SBASHK) ka uruar mësimdhënësit me rastin e 7 Marsit – Ditës së Mësuesit, duke i cilësuar ata si “pishtarë të dijes” dhe duke vlerësuar kontributin e tyre në zhvillimin e arsimit dhe ruajtjen e shkollës shqipe.
Në urimin e saj, SBASHK theksoi rëndësinë e përpjekjeve të mësuesve për të përhapur dijen dhe për të mbrojtur arsimin shqip, duke kujtuar me respekt mësuesit e parë të kombit dhe veprimtarët e arsimit gjatë viteve ’90, si Shaban Jashari, si dhe kontributin e kolegëve të saj që përballuan sfidat e pushtuesit.
Sindikata nënvizoi gjithashtu angazhimin e saj për realizimin e kërkesave të mësimdhënësve dhe për përmirësimin e cilësisë së arsimit, duke shpresuar që puna dhe sakrifica e mësuesve të shërbejë si motiv për institucionet për përkrahje më konkrete ndaj arsimit.




