Tre shtetas shqiptarë “Aurel Kaziu”, pjesëtar i Policisë së Shqipërisë, dhe “Ardit Laska” e “Edmir Ahmagjokaj” ndodhen aktualisht në Shqipëri pas vendimit të Gjykatës Themelore të Prishtinës, e cila kishte refuzuar kërkesën e Prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj tyre.
Shuma prej rreth 1 milion eurosh ishte zbuluar më 24 shkurt 2026 në një furgon që vinte nga Gjermania drejt Kosovës dhe kishte destinacion Shqipërinë. Autoritetet kufitare e gjetën paratë të fshehura në një hapësirë të improvizuar.
Avokatët e të dyshuarve kanë bërë të ditur se klientët e tyre ndodhen jashtë vendit dhe do të respektojnë çdo vendim të ardhshëm të gjykatës.
Gjykata e Apelit më 6 mars 2026 ka anuluar vendimin e Gjykatës Themelore dhe e ka kthyer çështjen në rivendosje për masën e paraburgimit, duke vlerësuar se aktvendimi i shkallës së parë përmbante shkelje thelbësore të procedurës penale dhe argumentim të paqartë lidhur me dyshimin e bazuar për kryerjen e veprës penale të shpëlarjes së parave.
Prokuroria Speciale e Kosovës ka mirëpritur këtë vendim dhe do të vazhdojë të ndjekë procesin gjyqësor sipas procedurave të rregullta.




