Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka deklaruar se të drejtat e grave përbëjnë një standard të rëndësishëm për mënyrën se si një shoqëri e kupton lirinë dhe demokracinë e saj.
Duke folur në aktivitetin e organizuar për shënimin e Ditës Ndërkombëtare të Gruas nga Agjencia për Barazi Gjinore, me temën “Të drejta, drejtësi, veprim”, ajo theksoi se mënyra se si një vend i trajton gratë dhe vajzat është pasqyra më e ndershme e atij vendi.
Haxhiu tha se pavarësisht përparimeve ligjore në mbrojtjen e të drejtave të grave në Kosovë, shumë gra ende përballen me dhunë në familje, pabarazi ekonomike dhe pengesa në vendimmarrje dhe në tregun e punës.
Ajo u zotua se si kryetare e Kuvendit do të fuqizojë mekanizmat e mbikëqyrjes parlamentare për të siguruar zbatimin e ligjeve dhe për të kërkuar përgjegjësi nga institucionet përkatëse.
Sipas saj, ligjet dhe politikat janë të rëndësishme, por ndryshimi duhet të reflektohet në jetën e përditshme të grave dhe vajzave. Haxhiu përmendi edhe zgjedhjet parlamentare të vitit 2021, ku shumë gra u zgjodhën deputete pa u mbështetur në kuotën gjinore.
Ajo shtoi se çdo e drejtë që gratë gëzojnë sot është rezultat i një përpjekjeje të gjatë të grave që kanë ngritur zërin për barazi, duke theksuar se historia e grave shqiptare është edhe histori e përpjekjeve për emancipim dhe arsimim.




