Presidenca e Republikës së Kosovës ka reaguar duke dënuar ashpër gjuhën që, sipas saj, përfshin thirrje për pushkatimin e presidentes Vjosa Osmani.
Në reagim thuhet se përdorimi i fjalës “pushkatim” në debat politik nuk përbën kritikë apo opinion, por një gjuhë të rrezikshme që nxit urrejtje dhe normalizon dhunën politike.
Sipas Presidencës, Kosova nuk duhet të jetë vend ku aktivistë politikë vetëshpallen gjykatës dhe shpallin dënime me jetë ndaj figurave të zgjedhura nga qytetarët. Në reagim theksohet se një mentalitet i tillë dëmton debatin publik dhe nxit etiketime, shpifje dhe linçime.
Në deklaratë gjithashtu theksohet se presidentja Osmani është zgjedhur në mënyrë legjitime dhe ushtron mandatin e saj në bazë të Kushtetutës, duke hedhur poshtë pretendimet për tradhti apo teori konspirative.
Presidenca ka bërë thirrje që institucionet e rendit dhe drejtësisë të merren urgjentisht me këto raste dhe t’i trajtojnë ato në përputhje me ligjin.




