Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka njoftuar se ka iniciuar një rast penal lidhur me kërcënimet ndaj Presidentes Vjosa Osmani-Sadriu.
Rasti lidhet me veprën penale “Dhuna ndaj përfaqësuesve të lartë të Republikës së Kosovës”, sipas nenit 121, lidhur me nenin 119 paragrafi 1, nënparagrafi 1.1 të Kodit Penal të Kosovës.
Prokuroria ka autorizuar Drejtorinë për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda në Policinë e Kosovës për të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për hetimin e plotë të rastit, me qëllim sigurimin e rendit juridik dhe mbrojtjen e zyrtarëve dhe qytetarëve.
Ndërkohë, Presidenca e Republikës së Kosovës ka dënuar ashpër gjuhën e përdorur në debatet publike, ku janë bërë thirrje për “pushkatimin” e presidentes, duke theksuar se Kosova nuk duhet të jetë vend ku aktivistë politikë vetëshpallen gjykatës dhe shpallin dënime me jetë për figura të zgjedhura nga qytetarët.




