Policia e Kosovës ka sekuestruar rreth 20 metra kub dru të përpunuar pa dokumentacion në fshatin Lupç të Podujevës.
Rasti ka ndodhur më 9 mars rreth orës 11:40, kur njësitë e Sektorit për Operativë në kuadër të Drejtorisë Rajonale të Kufirit – Lindja ndaluan një kamion të tipit MAN me targa vendore, i cili drejtohej nga i dyshuari K.B., i lindur në vitin 1991.
Gjatë kontrollit u konstatua se kamioni ishte i ngarkuar me rreth 20 metra kub dërrasa, ndërsa drejtuesi nuk posedonte dokumentacion valid për transportin e tyre dhe as dokumente për ushtrimin e veprimtarisë së përpunimit të asortimenteve drunore.
Masa drusore është inspektuar dhe sekuestruar nga Agjencia e Pyjeve e Kosovës dhe është dërguar në depon e kësaj agjencie për procedura të mëtejme.
Me autorizim të prokurorit kompetent është iniciuar rasti për veprat penale “Tregti e ndaluar” dhe “Transport i kundërligjshëm i druve”, ndërsa rasti do të trajtohet nga njësitë përkatëse sipas kompetencës.




