Gjatë një kontrolli të detajuar të një dërgese, zyrtarët doganorë në Zyrën Doganore të Prishtinës kanë zbuluar mallra të padeklaruara, konkretisht preparate për trajtimin e flokëve pas implantit, me vlerë rreth 13,000 €, të cilat nuk ishin përfshirë në dokumentacionin përkatës doganor.
Pas verifikimeve të kryera, mallrat janë ndaluar dhe konfiskuar në përputhje me procedurat ligjore në fuqi. Rasti është trajtuar sipas dispozitave të legjislacionit doganor, me qëllim të parandalimit të shmangies nga detyrimet doganore.
Ky veprim konfirmon edhe një herë përkushtimin e Doganës së Kosovës për forcimin e kontrolleve doganore, luftimin e aktiviteteve të paligjshme në tregti dhe mbrojtjen e konkurrencës së ndershme në treg.




