Një grup prej 100 kadetësh të rinj korrektues dhe gardianë iu është shtuar Shërbimit Korrektues të Kosovës. Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, ka theksuar se ShKK është një hallkë thelbësore e sistemit të drejtësisë, duke garantuar zbatimin e ligjit dhe trajtimin me dinjitet të personave të privuar nga liria.
Gërvalla ka vlerësuar se kadetët e rinj sjellin energji dhe përgjegjësi në një profesion që kërkon disiplinë, integritet dhe vetëkontroll. “Ata do të jenë në vijën e parë të sigurimit të rendit në institucionet korrektuese dhe të zbatimit të ligjit. Roli i tyre shkon përtej ruajtjes së rendit dhe ndikon drejtpërdrejt në mundësinë që personat nën kujdesin e tyre të rikthehen në shoqëri si qytetarë më të përgjegjshëm”, ka deklaruar ministrja.
Kadetët e rinj do të ndjekin një trajnim gjashtëmujor në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike, për t’u pajisur me njohuritë dhe aftësitë e nevojshme për sfidat e profesionit. Gërvalla ka theksuar se Republika e Kosovës vazhdon të përmirësojë sistemin korrektues, duke u bazuar edhe në raportet dhe vlerësimet e Këshillit të Evropës dhe mekanizmave ndërkombëtarë për monitorimin e trajtimit të personave të privuar nga liria.




