Aleanca Kosovare e Bizneseve ka shprehur shqetësim për rritjen e çmimit të naftës në tregjet ndërkombëtare, i cili ka kaluar 100 dollarë për fuçi, niveli më i lartë që nga viti 2022.
Sipas AKB-së, kjo rritje godet drejtpërdrejt transportin, industrinë dhe konsumatorët në Kosovë, duke rritur kostot e prodhimit, shërbimeve dhe çmimet në treg. Organizata paralajmëron se situata mund të shkaktojë presion inflacionist dhe rritje të mëtejshme të çmimeve në vend.
AKB kërkon nga institucionet e Kosovës monitorim të tregut të derivateve, transparencë më të madhe në vendosjen e çmimeve tavan nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, dhe furnizim të rregullt nga bizneset lokale.
Po ashtu, organizata nënvizon rëndësinë e rritjes së rezervave strategjike të derivateve për të përballuar krizat energjetike dhe luhatjet ndërkombëtare, duke garantuar stabilitet energjetik dhe ekonomik për qytetarët dhe bizneset.




