Dy persona janë ndaluar nga Policia e Kosovës në Mitrovicë të Veriut, pasi dyshohen për manipulim gjatë procesit të testimit për patentë shofer.
Sipas policisë, Njësia Rajonale për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Mitrovicë të Veriut, në bashkëpunim me stacionin policor në këtë qytet, ka ndërmarrë veprime hetimore pasi u identifikua një rast i dyshuar manipulimi gjatë testit me shkrim.
Dyshohet se një person kishte tentuar të hyjë në test në emër të një kandidati tjetër. Pas ndërhyrjes së policisë, të dyshuarit janë arrestuar dhe janë sekuestruar prova materiale, përfshirë dy telefona celularë dhe 2 mijë euro para të gatshme që dyshohet se lidhen me rastin.
Me vendim të prokurorit kujdestar, dy të dyshuarit janë dërguar në ndalim policor për 48 orë, ndërsa një person tjetër është liruar në procedurë të rregullt.
Policia e Kosovës ka bërë të ditur se mbetet e përkushtuar në luftimin e korrupsionit dhe veprimeve të kundërligjshme.




