Kujtim Hajdaj, anëtar i Kryesisë Qendrore të Partisë Guxo, ka njoftuar se ka vendosur të pezullojë për një kohë të pacaktuar aktivitetin e tij politik brenda partisë.
Në një deklaratë publike, Hajdaj tha se vendimi lidhet me mbështetjen e tij të hapur për presidenten Vjosa Osmani, si dhe me disa rrethana të krijuara në raport me udhëheqjen e Partia Guxo, të cilat ai nuk ka dashur t’i komentojë më tej.
Ai theksoi se përkohësisht do të ndalojë angazhimin si anëtar i kryesisë qendrore dhe si koordinator i partisë jashtë Kosovës.
Hajdaj shtoi se gjatë angazhimit të tij politik, që nga koha e iniciativës “Lista Vjosa”, ka bashkëpunuar me shumë njerëz që, sipas tij, e duan shtetin dhe qytetarët e Kosovës.
“Politika është njëkohësisht atraktive dhe arti i së mundurës, por ndonjëherë mund të jetë edhe mizore. Pavarësisht sfidave, një gjë mbetet e sigurt: Kosova është mbi të gjithë ne dhe përfaqëson sakrificën e shumë dëshmorëve dhe heronjve për liri, pavarësi dhe demokraci”, ka shkruar ai në njoftimin e tij.




