Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves, ka zhvilluar një takim me Ministren e Drejtësisë, Donika Gërvalla-Schwarz, ku e ka uruar për detyrën e re dhe ka theksuar rëndësinë e veprimeve të shpejta për tejkalimin e sfidave politike në vend.
“Këtë pasdite e përgëzova Ministren e Drejtësisë Donika Gërvalla-Schwarz për rolin e saj të ri dhe diskutova rëndësinë e zgjidhjes së shpejtë të sfidave politike në mënyrë që Kosova të mund të përparojë dhe të ofrojë rezultate për qytetarët”, tha ambasadori.
Hargreaves gjithashtu theksoi angazhimin e Mbretërisë së Bashkuar për të mbështetur sektorin e drejtësisë në Kosovë, duke përfshirë trajtimin e dhunës me bazë gjinore dhe mbështetjen për të mbijetuarit e dhunës seksuale të lidhur me konfliktin, një prioritet ky i vazhdueshëm i vendit të tij.




