Policia e Kosovës, në bashkëpunim me Prokuroria Themelore në Prizren, ka arrestuar dy persona të dyshuar për veprën penale “fajde”, pas një operacioni policor të zhvilluar të mërkurën në Prizren.
Sipas autoriteteve, të dyshuarit në mënyrë të vazhdueshme kishin ushtruar presion ndaj viktimës për pagesa të ndryshme parash në emër të interesit për fajde. Përmes formave të ndryshme të presionit, ata dyshohet se kanë kërkuar edhe marrjen e shtëpisë dhe dy lokaleve të viktimës në Prizren, me vlerë rreth 1 milion euro.
Policia njofton se të dyshuarit janë arrestuar në flagrancë gjatë përpjekjes për ta detyruar viktimën të rregullojë dokumentacionin për bartjen e pronësisë së pasurisë.
Me urdhër të gjykatës është kryer edhe kontrolli i banesave të tyre, ku janë gjetur dhe sekuestruar prova materiale që pritet të përdoren në procedurën penale.
Ndaj të dyshuarve, me inicialet E.K. dhe A.K., prokurori i shtetit ka lëshuar aktvendim për ndalim.




