Bashkimi Evropian ka miratuar një paketë të re sanksionesh ndaj 19 zyrtarëve dhe entiteteve nga Irani, të akuzuar për shkelje të rënda të të drejtave të njeriut. Lajmin e bëri të ditur shefja e diplomacisë së BE-së, Kaja Kallas, përmes një postimi në X.
Sipas saj, vendimi synon të dërgojë një mesazh të qartë ndaj autoriteteve iraniane se e ardhmja e vendit nuk mund të ndërtohet mbi represionin.
Burime diplomatike bëjnë të ditur se në listën e sanksioneve nuk është përfshirë udhëheqësi suprem i ri i Iranit, Mojtaba Khamenei, i cili mori detyrën pas vdekjes së babait të tij, Ali Khamenei.
Masat e reja lidhen me situatën e brendshme në Iran dhe përfshijnë ngrirjen e aseteve në vendet e BE-së si dhe ndalimin e hyrjes në territorin e unionit. Më herët, BE kishte vendosur sanksione ndaj qindra individëve dhe dhjetëra entiteteve iraniane për shkelje të të drejtave të njeriut.




