Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, ka përkujtuar demonstratat studentore të marsit 1981 në Kosovë, duke i cilësuar ato si një moment të rëndësishëm në historinë e vendit.
Përmes një postimi publik, Hamza theksoi se në marsin e vitit 1981 studentët u ngritën në emër të popullit, duke kërkuar liri, drejtësi dhe dinjitet.
Sipas tij, historia e Kosovës është ndërtuar edhe nga guximi i atyre të rinjve që dolën në rrugë për të kundërshtuar padrejtësinë dhe për të hapur rrugën drejt një të ardhmeje më të mirë.
Ai gjithashtu shprehu mirënjohje dhe respekt për të gjithë pjesëmarrësit në protestat e vitit 1981 në Kosovë, duke theksuar rëndësinë e kujtimit të atyre ngjarjeve historike për brezat e sotëm dhe të ardhshëm.




