Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, ka kritikuar presidenten Vjosa Osmani, duke thënë se ajo gjatë pesë viteve në detyrë i ka qëndruar besnike kryeministrit Albin Kurti dhe nuk e ka kundërshtuar atë.
Në një intervistë për gazetën Nacionale, Hoti u shpreh se vetë Osmani ka pranuar se ka qenë në linjë me kërkesat e Kurtit, madje edhe në caktimin e datës së zgjedhjeve. Sipas tij, këto deklarime konfirmojnë dyshimet e opozitës se presidentja ka vepruar në përputhje me agjendën politike të kryeministrit.
Hoti u shpreh gjithashtu skeptik për mundësinë e rikthimit të Osmanit në LDK, ndërsa kritikoi edhe mënyrën se si, sipas tij, janë zhvilluar negociatat për zgjedhjen e një presidenti konsensual.
Ai akuzoi Kurtin se nuk ka qenë i interesuar për një zgjidhje të përbashkët dhe se po e çon vendin drejt krizave politike për t’iu shmangur obligimeve ndërkombëtare të marra në dialogun me Serbinë.




