Një sulm me dron nga Rusia ka goditur një objekt biznesi në qytetin Kharkiv, qyteti i dytë më i madh në Ukraina, duke shkaktuar dy viktima dhe shtatë të plagosur.
Lajmin e konfirmoi kryebashkiaku i qytetit, Ihor Terekhov, i cili përmes një njoftimi në Telegram bëri të ditur se dy persona kanë humbur jetën si pasojë e sulmit.
Ndërkohë, guvernatori rajonal i Kharkivit, Oleh Sinyubov, tha se sipas të dhënave fillestare pesë nga të plagosurit ndodhen në gjendje të rëndë dhe po marrin trajtim mjekësor. Ai shtoi se sulmi shkaktoi edhe një zjarr në objektin e goditur.
Sipas autoriteteve lokale, në mesin e të plagosurve janë një 47-vjeçar, një 50-vjeçar, një grua 60-vjeçare, si dhe dy burra të moshës 39 dhe 49 vjeç, të cilët po trajtohen në njësinë e kujdesit intensiv.
Kharkivi ndodhet rreth 30 kilometra nga kufiri me Rusinë dhe që nga fillimi i pushtimit rus të Ukrainës në shkurt të vitit 2022 ka qenë vazhdimisht objekt i sulmeve ajrore. Qyteti kishte arritur të përballojë valën e parë të ofensivës ruse në fillim të luftës, por mbetet një nga zonat më të goditura nga bombardimet.




