Raportuesi për Kosovën në Parlamentin Evropian, Riho Terras, ka përgatitur draft-raportin për vitin 2025, duke e konsideruar këtë vit si “të humbur” për shkak të ngecjes së funksionimit të Kuvendit dhe Qeverisë pas zgjedhjeve të 9 shkurtit.
Raporti vlerëson përparimet në reforma zgjedhore, qëndrueshmëri ekonomike dhe mbrojtjen e të drejtave themelore, por nënvizon sfidat në drejtësi, liri të mediave, efikasitet të administratës publike dhe digjitalizim. Dialogu me Serbinë, sipas Terras, ka qenë pothuajse i pezulluar, dhe ai përshëndet zgjatjen e mandatit të Përfaqësuesit Special, Peter Sörensen, deri në shkurt 2028.
Draft-raporti thekson rëndësinë e integrimit evropian të Kosovës, duke nënvizuar nevojën për reforma të thella dhe mbështetje nga BE-ja, si dhe rrezikun nga ndikimet e aktorëve globalë autoritarë si Rusia dhe Kina. Dokumenti do të shqyrtohet nga komiteti AFET më 16-17 mars dhe më pas mund të bëhet rezolutë zyrtare e Parlamentit Evropian.




