Pasditen e djeshme, artisti i njohur Gjesti u ndalua nga Policia e Kosovës për “armëmbajtje pa leje”. Prokuroria e Prishtinës ka konfirmuar se ndaj tij janë ngritur edhe dy akuza të reja: “kanosje” dhe “asgjësim apo dëmtim i pasurisë”.
Incidenti ndodhi gjatë një përballjeje në zyrat e kompanisë “Onima”, e cila menaxhon të drejtat digjitale të artistit. Gjatë debatit u demolua një kompjuter i zyrës, duke detyruar drejtuesit e kompanisë të lajmërojnë Policinë.
Tensionet mes artistit dhe kompanisë kishin nisur që gjatë verës, me Gjestin që akuzonte publikisht “Onimën” për bllokim të publikimeve të tij, ndërsa kompania deklaronte se kontrata ishte e ligjshme dhe se artisti po ushtronte presion publik për të ndarë marrëveshjen pa shkuar në gjykatë.
Pas incidentit, ndaj Gjestit është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.




