Një numër i konsiderueshëm i qytetarëve të Kosovës janë kthyer në vendlindje nga zonat e përfshira nga konfliktet në Lindjen e Mesme, por rreth 600 qytetarë vazhdojnë të qëndrojnë atje, njofton Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD).
Institucionet kosovare po punojnë në koordinim me autoritetet e vendeve përkatëse dhe partnerët ndërkombëtarë për të mundësuar kthimin e qytetarëve, ndërkohë që procesi i evakuimit nga Izraeli pritet të përmbyllet deri në fund të këtij muaji.
Ambasada e Kosovës në Riad po asiston qytetarët nga Katari, Kuvajti, Bahreini dhe Iraku për kalimin drejt Arabisë Saudite dhe përdorimin e fluturimeve komerciale drejt Kosovës. Në Emiratet e Bashkuara Arabe janë rifilluar fluturimet dhe qytetarët po asistohen për kthimin e tyre.
Përveç qytetarëve kosovarë, përmes Aeroportit të Prishtinës janë evakuuar edhe shtetas nga Bosnja e Hercegovina dhe Maqedonia e Veriut. Një grup prej 153 pasagjerësh maqedonas është evakuuar të mërkurën, ndërsa procesi pritet të përfundojë deri në fund të javës, duke përfshirë edhe qytetarët e tjerë të Kosovës.




