Komiteti i Rajoneve i Bashkimit Evropian ka vendosur që në dokumentet e tij zyrtare të mos përdorë më emërtimin “Kosovo” me fusnotë shpjeguese. Me këtë vendim hiqet asterisku që ishte përdorur prej vitit 2012 dhe terminologjia harmonizohet me atë që përdoret nga Parlamenti Evropian.
Fusnota ishte vendosur pas marrëveshjes së arritur në vitin 2012 në kuadër të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, duke lejuar pjesëmarrjen e Kosovës në organizata dhe nisma rajonale me emërtimin “Kosovo”.
Përfaqësues të institucioneve të Kosovës e kanë cilësuar vendimin si një hap pozitiv në drejtim të afirmimit ndërkombëtar të shtetit dhe afrimit me strukturat evropiane. Sipas tyre, ky veprim paraqet një zhvillim të rëndësishëm institucional dhe e përafron praktikën e Komitetit të Rajoneve me atë të institucioneve të tjera të BE-së.
Nga ana tjetër, njohës të proceseve evropiane vlerësojnë se edhe pse vendimi është i mirëpritur, fusnota ende përdoret në disa institucione të tjera evropiane dhe largimi i saj i plotë varet edhe nga qëndrimet e pesë shteteve të BE-së që nuk e kanë njohur Kosovën.
Sipas tyre, përdorimi i asteriskut nuk e ka penguar në mënyrë të drejtpërdrejtë pjesëmarrjen e Kosovës në programe dhe iniciativa të Bashkimit Evropian, por heqja e tij konsiderohet një sinjal pozitiv për rrugën integruese të vendit drejt BE-së.




