Komiteti i Rajoneve të Bashkimit Evropian ka vendosur të heqë asteriskun dhe fusnotën nga përdorimi për Kosovën në dokumentet e tij zyrtare, me qëllim harmonizimin e terminologjisë me atë të Parlamentit Evropian.
Pas këtij vendimi ka reaguar zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca, i cili e ka mirëpritur këtë hap.
Sipas tij, ndërprerja e përdorimit të termit “Kosovo*” dhe fusnotës shoqëruese e afron këtë institucion me qasjen e Parlamentit Evropian dhe sjell më shumë qartësi institucionale për perspektivën evropiane të Kosovës.
“Ne mirëpresim vendimin e Komitetit të Rajoneve për të ndërprerë përdorimin e ‘Kosovo*’ dhe fusnotës shoqëruese në dokumentet e tij publike. Ky hap e rreshton Komitetin me Parlamentin Evropian dhe pasqyron një qartësi më të madhe institucionale sa i përket perspektivës evropiane të Kosovës”, ka shkruar Konjufca në rrjetin social X.
Ai gjithashtu ka shprehur falënderim të veçantë për Gillian Coughlan, kryetare e Grupit të Punës për Kosovën në Komitetin e Rajoneve dhe raportuese për zgjerimin, për mbështetjen dhe angazhimin e saj të vazhdueshëm për Kosovën. 🇪🇺




