Sipas raportit të fundit të Stockholm International Peace Research Institute (SIPRI), Gjermania ka avancuar në tregun global të armëve, duke kaluar Kinën dhe duke u renditur në vendin e katërt për eksportet ushtarake.
Të dhënat e periudhës 2021–2025 tregojnë se Gjermania ka përfaqësuar rreth 5.7% të eksporteve botërore të armëve, pak më shumë se Kina me 5.6%. Kryesimin e ruajnë Shtetet e Bashkuara me 42% të totalit, të ndjekura nga Franca (9.8%) dhe Rusia (6.8%).
Analistët lidhin rritjen e rolit të Gjermanisë me kërkesën e shtuar për pajisje mbrojtëse në Evropë, sidomos pas pushtimit të plotë të Ukrainës nga Rusia në 2022. Ky konflikt ka shtyrë shumë vende evropiane të rrisin investimet ushtarake dhe kapacitetet mbrojtëse.
Raporti nënvizon gjithashtu se Ukraina është bërë importuesja më e madhe e armëve në botë gjatë kësaj periudhe, duke përbërë rreth 9.7% të importeve globale, një pasqyrë e nevojave të saj në luftën me Rusinë.
Pjesa më e madhe e armëve gjermane është blerë nga Ukraina, Egjipti dhe Izraeli, çka ka sjellë një rritje prej rreth 15% të eksporteve krahasuar me periudhën 2016–2020. Rreth një e katërta e eksporteve të Gjermanisë ka shkuar drejt Ukrainës.
Industria ushtarake gjermane prodhon mjete të blinduara, municione artilerie dhe sisteme të avancuara të mbrojtjes ajrore, duke përfshirë tankun Leopard 2, automjetin luftarak KF41 Lynx, transportuesin e blinduar Boxer dhe sistemin IRIS-T SLM, të cilat përdoren gjerësisht nga ushtritë evropiane.




