Më 1 shtator 1998, Fatmir Bojaxhiu dhe vëllezërit binjakë Binak Daçaj e Reshat Daçaj u vranë dhe u masakruan nga një grup paramilitar serb në malin pranë lagjes Hoça Mahalla.
Sipas dëshmive, pjesë e grupit prej 7–8 personash të armatosur ishte edhe Millosh Pleskoviq, i njohur si “Miki”. Ai u arrestua në shtator 2023, rreth 25 vjet pas krimit, ndërsa Prokuroria Speciale e Kosovës ngriti aktakuzë ndaj tij në qershor 2024 për krime lufte kundër popullsisë civile.
Pas dhjetë seancave gjyqësore dhe dëgjimit të 14 dëshmitarëve, Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special, më 12 gusht 2025 e shpalli Pleskoviqin fajtor dhe e dënoi me 15 vjet burgim për vrasjen e tre civilëve shqiptarë.




