Policia e Kosovës ka zhvilluar sot një operacion policor në Prizren kundër veprimtarisë së fajdesë, ku është arrestuar një person, ndërsa katër të tjerë janë shpallur në kërkim.
Operacioni është realizuar nga Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore në Prizren, në kuadër të hetimeve ndaj pesë personave të dyshuar për veprat penale “Fajdeja”, “Privimi i kundërligjshëm i lirisë” dhe “Detyrimi”.
Sipas dyshimeve të deritanishme, të dyshuarit kanë detyruar viktimën të paguajë shuma të mëdha parash si interes për fajde, duke përdorur presion dhe dhunë, ndërsa në disa raste dyshohet se e kanë privuar edhe nga liria.
Sipas vlerësimeve fillestare, dëmi i shkaktuar ndaj viktimës arrin rreth 700 mijë euro, ndërsa të dyshuarit dyshohet se kanë kërkuar edhe rreth 450 mijë euro shtesë në emër të interesit.
Gjatë operacionit janë kryer kontrolle në pesë lokacione në Prizren. Me vendim të prokurorit, personi i arrestuar është ndaluar për 48 orë, ndërsa hetimet për rastin po vazhdojnë.




