Federata e Futbollit të Sllovakisë ka njoftuar se janë shitur të gjitha biletat për ndeshjen e shumëpritur mes Sllovakisë dhe Kosovës, që do të zhvillohet më 26 mars në Stadiumin Nacional të Bratislavës. Ky takim është i vlefshëm për gjysmëfinalen e plejofit të kualifikimit për Kupën e Botës 2026 dhe ka shkaktuar një interes të jashtëzakonshëm nga tifozët sllovakë.
Drejtori i Federatës Sllovake, Lukash Donoval, ka shprehur kënaqësinë e tij për mbështetjen masive të tifozëve, duke e cilësuar këtë si një motivim të madh për ekipin. Ai ka theksuar se një stadium plot tifozë mund t’u ofrojë lojtarëve energjinë e nevojshme për të performuar në nivelin më të lartë në një sfidë kaq të rëndësishme.
“Jemi shumë të lumtur të njoftojmë se të gjitha biletat janë shitur. Kjo tregon qartë mbështetje të madhe për ekipin tonë dhe rëndësinë e kësaj ndeshjeje për tifozët. Jemi të bindur se stadiumi do të krijojë një atmosferë fantastike”, ka thënë Donoval.
Fituesi i ndeshjes Sllovaki-Kosovë do të përballet në finalen e plejofit me fituesin e përballjes mes Turqisë dhe Rumanisë, më 31 mars. Përfaqësuesja që triumfon në finale do të sigurojë një vend në Kupën e Botës 2026, turne që do të zhvillohet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kanada dhe Meksikë.




