Lajme të këqija vijnë nga Turqia, ku sulmuesi shqiptar Rey Manaj ka pësuar një dëmtim të rëndë gjatë ndeshjes së Sivasspor ndaj Umraniyespor, duke u detyruar të braktisë fushën pas vetëm 7 minutash lojë. Pas ekzaminimeve mjekësore të kryera këtë të hënë, Sivasspor ka konfirmuar se Manaj ka pësuar një çarje të tendinit të kofshës së majtë të gradës 3c dhe gjakderdhje në pjesën e pasme të këmbës.
Kjo do të thotë se Manaj do të mungojë në ndeshjen e 26 marsit me Poloninë për fazën e playoff-it të Botërorit dhe mund të jetë i detyruar të mbyllë sezonin e tij. Rey Manaj u rikthye te Sivasspor gjatë merkatos së janarit, por një problem fizik e ka mbajtur jashtë ndeshjes me Hatayspor, dhe vendimi i klubit për ta hedhur në fushë përballë Umraniyespor duket se ka qenë i nxituar dhe i gabuar.




