Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka deklaruar se kryeministri Albin Kurti nuk është më një premtim, por një bilanc. Në një postim në rrjetin social, Haradinaj argumenton se modeli i qeverisjes së Kurtit ka sjellë tension dhe kriza të përsëritura brenda institucioneve dhe politikës së vendit.
Sipas tij, edhe nëse Kurti fiton sërish zgjedhjet, kjo nuk garanton stabilitet, pasi modelet e qeverisjes që ai ka ndjekur vazhdojnë të prodhojnë përplasje dhe mosmarrëveshje institucionale. Haradinaj thekson gjithashtu rëndësinë e ekonomisë, punës dhe sigurisë për qytetarët, duke vënë në dukje se shpërndarja e ndihmave dhe përfitimeve sociale nuk është e barabartë me zhvillim të qëndrueshëm dhe funksionim efektiv të shtetit.
“Koha e premtimeve ka kaluar. Tani është koha e bilancit,” përfundon Haradinaj, duke nënvizuar nevojën për një shtet funksional dhe institucione që garantojnë besim dhe stabilitet për qytetarët.




