Ministria e Industrisë, Tregtisë, Ndërmarrësisë dhe Inovacionit (MINT) ka reaguar pas aksionit të njësive për krime ekonomike në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve (ARBK), që u zhvillua sot në mëngjes.
Sipas komunikatës, rasti ka të bëjë me ndryshimin e pronësisë së një biznesi pas ndërrimit të jetës së pronarit.
Pas shqyrtimit të dokumentacionit dhe vendimeve gjyqësore, stafi i ARBK ka konstatuar se kishte ndodhur një keqinterpretim i një aktgjykimi gjyqësor, i cili tashmë është korrigjuar përmes procedurave ligjore dhe administrative.
MINT thekson se institucionet mbeten të përkushtuara për bashkëpunim me organet e rendit dhe drejtësisë, si dhe po punojnë për rritjen e transparencës, saktësisë së informacionit dhe sigurisë juridike për qytetarët dhe bizneset. Ministria do të vazhdojë të informojë opinionin publik për çdo zhvillim të mëtejshëm lidhur me këtë çështje.




