Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së ka mbledhur mbi 83,000 nënshkrime për peticionin kombëtar, i cili do t’i dërgohet Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë. Kryetari i OVL-UÇK-së, Hysni Gucati, bëri të ditur se procesi po ecën mirë dhe se afati për përfundimin e mbledhjes së nënshkrimeve është fundi i prillit.
Peticioni synon të tregojë mbështetjen qytetare për ish-krerët e UÇK-së dhe të kundërshtojë narrativën që ata nuk gëzojnë përkrahje. Nënshkrimet po mblidhen si online ashtu edhe derë më derë nëpër fshatra, përfshirë edhe pjesëtarë të komunitetit serb./EO/
Gucati bëri thirrje që qytetarët të mos hezitojnë të nënshkruajnë, duke theksuar se procedura online zgjat vetëm një minutë, ndërsa çdo nënshkrim do të kontribuojë në dëshmimin e mbështetjes së gjerë qytetare për UÇK-në dhe ish-krerët e saj. Peticioni është nisur më 25 shkurt dhe mbledhja e nënshkrimeve po vazhdon aktivisht deri në fund të prillit.




