Në kuadër të zbatimit të kompetencave ligjore për mbrojtjen e pronësisë intelektuale dhe sigurisë së konsumatorëve, Dogana e Kosovës ka realizuar asgjësimin e 4,000 produkteve të falsifikuara për larje dhe pastrim, të cilat mbanin në mënyrë të paautorizuar markën tregtare “Ariel”.
Këto mallra ishin sekuestruar nga zyrtarët doganorë pas identifikimit të dyshimeve për shkelje të të drejtave të pronësisë intelektuale. Pas verifikimeve të kryera në bashkëpunim me autoritetet përkatëse dhe bartësit e të drejtave, si dhe pas përfundimit të procedurave ligjore, gjykata kompetente vendosi për asgjësimin e tyre.
Produktet e falsifikuara, sidomos ato të kategorisë së detergjentëve dhe preparateve për pastrim, paraqesin rrezik potencial për shëndetin e qytetarëve dhe sigurinë publike, pasi nuk i nënshtrohen standardeve të nevojshme të cilësisë dhe kontrollit.
Procesi i asgjësimit është kryer në përputhje të plotë me legjislacionin në fuqi dhe nën mbikëqyrje doganore, me qëllim parandalimin e shpërndarjes së tyre në treg.
Ky veprim dëshmon përkushtimin e Doganës së Kosovës në luftimin e tregtisë së paligjshme, mbrojtjen e konsumatorëve dhe garantimin e një tregu të sigurt dhe të drejtë.
Institucioni ka bërë të ditur se do të vazhdojë me kontrolle dhe masa të shtuara kundër mallrave të falsifikuara, në funksion të mbrojtjes së shëndetit publik dhe ekonomisë së vendit.




