Kosova ka shënuar një përmirësim të vogël në raportin vjetor të organizatës Freedom House për vitin 2026, duke arritur 61 pikë nga 100, një më shumë se vitin e kaluar. Megjithatë, vendi vazhdon të klasifikohet si “pjesërisht i lirë” në këtë raport që mat të drejtat politike dhe liritë qytetare në 195 vende dhe 13 territore në mbarë botën.
Raporti thekson se gjykatat në Kosovë kanë dhënë vendime që dëshmojnë pavarësinë e tyre, megjithatë janë përballur me trysni politike të vazhdueshme. Një aspekt negativ në vlerësimin e Kosovës është kriza politike dhe institucionale që goditi vendin gjatë vitit të kaluar, duke e lënë Kosovën të drejtohej për një periudhë të gjatë nga një qeveri në detyrë. Kjo ka penguar përparimin e vendit, veçanërisht në sistemin gjyqësor.
“Në Kosovë, ligjvënësit e sapozgjedhur nuk arritën të formonin një qeveri për pjesën më të madhe të vitit, ndërsa qeveria në detyrë tejkaloi mandatin e saj teknik, duke çuar në zgjedhje të parakohshme. Kjo bllokadë i zbehu përparimet në pavarësinë gjyqësore dhe sigurinë fizike”, thuhet në raport.
Përpara këtij përmirësimi, në raportin e kaluar, Kosova kishte 60 pikë dhe ishte vlerësuar për problemet me korrupsionin në institucionet publike, frikësimin e gazetarëve dhe ndërhyrjet në sistemin gjyqësor.
Në krahasim, Shqipëria ka shënuar një përparim prej një pike, duke arritur 69 pikë, ndërsa Serbia renditet më së keqi në rajon me 53 pikë, pasuar nga Bosnja dhe Hercegovina me 54 pikë. Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut vlerësohen me 68 dhe 67 pikë, respektivisht.
Raporti “Liria në Botë” për vitin 2026 mbulon zhvillimet nga 1 janari deri më 31 dhjetor 2025 dhe analizon ndikimin e politikave të brendshme dhe ndërkombëtare në lirinë dhe të drejtat e njeriut në mbarë botën.




